Organizimi i kurseve online gjate pandemise

Data e Publikimit 01.07.2020


Në maj të vitit 2020, Programi "Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt" organizoi kurset "Vlerësimi për të Nxënë" (VpN) dhe "Mësimi i Bazuar në Projekte" (MBP). Përkundër sfidave të shumta të hasura si pasojë e situatës së shkaktuar nga pandemia, Programi arriti të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të vazhdojë trajnimin e mësimdhënësve të shkollave partnere, duke përdorur platforma të ndryshme online.

Kursi VpN u organizua për shtatë shkollat partnere të Programit: “Kuvendi i Arbërit” - Ferizaj, “Hajdar Dushi” - Gjakovë, “Xhavit Ahmeti” - Gjilan, “Dardania” - Han i Elezit, “Xhevdet Doda” - Prishtinë, “Kuvendi i Lezhës” - Viti, Eqrem Çabej - Vushtrri. Përmes këtij kursi mësimdhënësit u njohën me teknikat e vlerësimit të vazhdueshëm të nxënësve, i cili poashtu bazohet në kompetencat e pritura të kurrikulës shkollore, por gjithashtu mundëson përcjelljen dhe zhvillimin gradual e personal të arritjes së rezultateve tek nxënësit, duke u ndihmuar atyre në përvetësimin e njohurive që u mungojnë.

Kursi MBP u organizua për këto shkolla partnere të Programit: “Haxhi Zeka” - Istog; “Ulpiana” - Lipjan, “17 Shkurti” - Obiliq, dhe “Xhelal Hajda Toni” - Rahovec. Qëllimi i kursit ishte që të pajisë mësimdhënësit e këtyre shkollave me njohuritë e nevojshme për të përshtatur njërën nga metodat mësimore të rekomanduar nga Korniza e Kurrikulës së Kosovës, e cila në mënyrë atraktive dhe efikase përmbush kërkesat e kurrikulës së bazuar në kompetenca. Gjithsej, 480 nxënës u përfshinë në 19 grupe, kështu duke zbatuar projekte kreative, të cilat u mundësuan atyre të forcojnë shkathtësi të ndryshme të buta ndërsa punonin së bashku në ekipe.

Këto kurse trajnuese, të ofruara nga fasilitues të kualifikuar, u zhvilluan në formë të seancave interaktive në platformën ZOOM, si dhe seancave të punës asinkrone përmes Google Classroom, ku mësimdhënësit mund të punonin individualisht dhe në grupe. Në kuadër të trajnimit, mësimdhënësit zbatuan metodat e reja të përvetësuara me nxënësit e tyre në orët që po i zhvillonin online.

Të gjithë mësimdhënësit që kanë përfunduar me sukses këto kurse, janë certifikuar me pikë shtesë të cilat kontribuojnë në licencën e tyre të mësimdhënësit.

Programi "Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt" - ASSET punon me 16 shkolla të mesme të përgjithshme nga komuna të ndryshme të Kosovës. ASSET është një program 5-vjeçar i financuar nga misioni i USAID-it, i cili zbatohet nga Qendra e Arsimit e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI 360 dhe Crimson Capital Corp.